home    I    about us     I     staff     I     news     I     publications     I     projects     I     donors and partners     I     contact us      I     albanian
Media Watch
>> Alerts and Statements
>> Briefing Papers
>> Reports
>> Research and Studies
>> Press Review
Media Research
>> Media Legislation
>> Media Ethics
>> Media Development and      Indipendence
Media Monitoring

Monitoring children coverage in albanian newspapers...
Crime and court reporting...
Education and training
    of journalists...

Corruption reporting...
Reporting and privacy...
Reporting on social issues...
                                                ... more

Copyright: Albanian Media Institute - Instituti Shqiptar i Medias, 2011
    foto DIGITAL TV
   Media links

National media
Albanian Telegraphic Agency
Balkaweb News Portal
Klan TV
Panorama Newspaper
Shekulli Newspaper
Shqip Newspaper
Top Channel TV
Vizion Plus TV                ... more

Foreign media
BBC
Deutche Welle
Voice of America            ... more

Albanian
media legislation
Albanian media code of ethics
   AMI newsletters

Pyetje për TV Dixhital

Si duhet ta lidh televizorin me dekoderin për të parë TV dixhital?

Shumica e dekoderave lidhen me televizorin duke përdorur një kabëll me dalje SCART, ashtu si tregohet në figurë:
:

Televizorët e prodhuar pas 1996 e kanë këtë dalje. Nëse keni televizor më të vjetër dhe nuk e keni këtë daljë, duhet të kërkoni një dekoder me një modulator të frekuencave.

A duhet blerë një antenë, antenë parabolike satelitore, apo duhet bërë abonim në një shërbim kabllor?

Një antenë e zakonshme dhome ose e vendosur jashtë, është e mjaftueshme për të marrë sinjalin në televizionin dixhital tokësor. Nëse cilësia e tanishme e sinjalit të antenës të televizionit analog është e mirë, atëherë kjo cilësi është e mjaftueshme edhe për televizionin dixhital. Pra, mund të përdorni po atë antenë që keni përdorur deri tani.

Antena parabolike satelitore dhe marrësi i saj do të jenë të nevojshme për të pare kanalet e televizioneve shqiptare, vetëm nëse këto televizione do të transmetojnë nëpërmjet satelitit. Gjithashtu, këto antenna do të jenë të nevojshme vetëm në zona shumë të thella dhe të vështira, të cilat nuk mund të arrihen me sinjal tokësor. Nga ana tjetër, këto antena ofrojnë transmetime satelitore, që do të thotë një numër më të madh kanalesh sesa transmetuesit tokësorë.
Shërbimi kabllor nuk ka lidhje me marrjen e televizionit dixhital tokësor, me përjashtim të rasteve kur vetë shikuesi preferon paketat e TV kabllor, të cilat transmetojnë në televizion dixhital.

Nëse shoh televizion nëpërmjet satelitit apo kabllorit, çfarë duhet të bëj për kalimin në dixhital?

Nëse jeni të kënaqur me kanalet që shihni dhe nuk doni të kaloni tek ato që transmetohen në televizionin dixhital tokësor, nuk duhet të bëni asgjë, pasi për satelitorin dhe kabllorin, kalimi në TV dixhital nuk do të sjellë ndryshime.

A duhet të kem pajisje High Definition për të parë televizionin dixhital?

Jo, kjo nuk është e nevojshme. Televizioni High Definition është një teknologji që ofron pamje dhe tinguj më të qartë, por nuk është i domosdoshëm për të parë televizionin dixhital.

A do të shoh në High Definition kur të shoh televizion dixhital?

Jo domosdoshmërisht. Ky format ka të bëjë vetëm me cilësinë e pamjes dhe zërit dhe jo me shndërrimin nga televizion analog në dixhital.

Me qëllim që të shihni në High Definition, duhet të keni televizorin dhe dekoderin të gatshëm për formatin High Definition. Ky tipar paraqitet me logon : ose FULL-HD për pajisjet në përgjithësi ose për aparatin e televizorit në veçanti.

Nëse kam televizor High Definition, a e kam bërë kalimin nga TV analog në dixhital?

Jo patjetër. HDTV është një teknologji e re që u jep mundësinë shikuesve të shohin pamje më të qarta dhe më të mprehta, por një televizor High Definition jo gjithmonë është dixhital. Disa prej tyre e kanë të nevojshme edhe dekoderin për të marrë televizionin dixhital. Gjithmonë duhet të siguroheni duke pyetur nëse TV që doni të bleni ka marrës dixhital tokësor të integruar.

A do të shoh më shumë kanale se tani?

Po, numri i kanaleve televizive që mund të transmetohet në televizionin dixhital shumëfishohet: në një frekuencë të vetme televizive me televizionin analog mund të shihet vetëm një kanal, ndërsa në televizionin dixhital shihen, 5, 7, ose më shumë se 10 kanale, në varësi të teknologjisë që përdoret.

A do të duhet të paguaj për të parë televizionin dixhital?

Ashtu si dhe për televizionin analog, do të duhet të paguhet taksa e aparatit TV për televizionin publik. Televizioni publik do të vazhdojë të transmetojë falas shumicën ose të gjitha programet ekzistuese, ndërkohë që mund të hapë edhe kanale të tjera. Po ashtu, edhe një pjesë e mirë e kanaleve analoge ekzistuese do të shihen falas. Megjithatë, do të ketë edhe shërbime apo paketa me pagesë, të cilat mund të shihen me blerjen e paketës dhe kartës përkatëse që duhet vendosur në dekoder ose televizor, në varësi të zgjedhjes së shikuesit.

Çfarë është EPG?

EPG (Electronic Program Guide – guidë elektronike e programeve) është një shërbim shtesë i televizionit dixhital. Shikuesi mund të kontrollojë nëpërmjet telekomandës sistemin e menusë në ekran, ku gjenden programet e kanaleve televizive, me tituj, orare, informacion për përmbajtjen, trupën realizuese, etj. Këto programe mund të jenë të një dite, ose të tërë javës.

Çfarë është “Switch-off”?

Ky term nënkupton fikjen e sinjaleve tradicionale analoge televizive dhe kalimin në sinjalet e reja dixhitale tokësore. Procesi i “switch-off” ka të ngjarë të ndodhë me zona të caktuara në bazë rrethi ose qarku. Ky proces paraprihet nga faza e “switch-over,” gjatë së cilës bëhet kalimi gradual i frekuencave televizive nga analoge në dixhitale.

Çfarë do të më duhet për të parë televizionin dixhital tokësor?

Do të jetë i nevojshëm një aparat që deshifron sinjalin dixhital, i quajtur dekoder. Ky aparat lidhet me antenën dhe me televizorin nëpërmjet nëpërmjet fishës SCART ose fishave të tjera. Një alternativë tjetër do të jetë një televizor me dekoder të integruar për televizionin tokësor.

Duhet të blej televizor të ri për të parë televizionin dixhital tokësor?

Jo, kjo nuk është e nevojshme. Mjafton një aparat i thjeshtë përshtatës, i quajtur dekoder.

Sa lloje televizorësh me dekoder të integruar ka?

Ka dy lloje: ata që kanë një dekoder të integruar i cili mund të marrë vetëm kanalet falas, si dhe ata me dekoder që mund të marrë edhe kanalet me pagesë.

A mund t’i shoh të gjitha kanalet me një dekoder të vetëm?

Po, në qoftë se dekoderi është universal. Një dekoder i vetëm do të jetë i mjaftueshëm për të parë kanalet që transmetohen falas në një zonë të caktuar. Nëse dëshironi të shihni dhe kanalet me pagesë, do të duhet që dekoderi të jetë i përshtatshëm për televizionin me pagesë. E njëjta gjë vlen dhe për kanalet që transmetojnë në High Definition: dekoderi, por edhe televizori, duhet të jetë i përshtatshëm. Megjithatë, në treg ekzistojnë edhe dekodera që i kombinojnë të gjitha këto mundësi, pa qenë nevoja që të blihet nga një dekoder për secilin tipar të dëshiruar.

Sa televizorë mund të lidh me një dekoder?

Dekoderi ka mundësi të lidhet vetëm me një televizor. Ekzistojnë mundësi për përsëritjen e sinjalit në më shumë se një televizor, megjithatë, edhe në atë rast, nuk mund të shihen programe të ndryshme në televizorë të ndryshëm vetëm me një dekoder. Programi në këtë rast do të jetë i njëjti për të gjithë televizorët e lidhur me atë dekoder.

A mund ta lidh dekoderin dixhital tokësor me antenën parabolike satelitore?

Absolutisht jo. Ndryshojnë si banda e frekuencës, ashtu dhe modulacioni. Për pasojë, në ekran nuk do të shfaqej asgjë. Megjithatë, në treg ekzistojnë edhe aparatë marrës ose dekoder të kombinuar, të cilët krijojnë mundësinë që të merret dhe sinjali dixhital tokësor, edhe ai satelitor.

A kam nevojë për antenë parabolike satelitore për të parë televizionin dixhital tokësor?

Jo, nuk duhet asnjë antenë satelitore. Kjo antenë është e nevojshme vetëm për të parë televizor nëpërmjet satelitit. Për televizionin dixhital tokësor mjafton antena e zakonshme që është përdorur gjithmonë.

A do të shfaqen kanalet sapo të instaloj dekoderin?

Kanalet do të shfaqen vetëm pasi të jetë kryer instalimi i kanaleve të televizionit dixhital tokësor, në mënyrë automatike ose manuale. Procedura e instalimit përshkruhet në manualin e përdorimit të dekoderit ose të televizorit me dekoder tokësor të integruar. Gjatë fazës së kalimit të frekuencave nga analoge në dixhitale dhe menjëherë pas fikjes së sinjalit analog mund të jetë e nevojshme që instalimi i kanaleve të bëhet më shumë se një herë, derisa të shfaqen të gjitha kanalet.

Nëse hyn në transmetim një kanal të ri, a do të instalohet automatikisht?

Ka dekodera dhe televizorë që e bëjnë automatikisht memorizimin e kanalit të ri. Në mungesë të këtij funksioni, do të jetë i nevojshëm instalimi manual i kanalit ose përsëritja e instalimit të të gjithë kanaleve.

A mund të përdor video-regjistruesin tim me televizionin dixhital tokësor?

Po, nëse dekoderi ka edhe një fishë të dytë SCART ose dalje tjetër të zërit dhe figurës. Në këtë rast, video-regjistruesi duhet të lidhet jo më me televizorin, por me këtë fishë të dytë. Pas kësaj lidhjeje, mund të përdoret video-regjistruesi për të regjistruar kanalin që shfaqet në televizor.
Regjistrimi i një kanali ndërkohë që shihni një kanal tjetër mund të bëhet vetëm nëpërmjet një dekoderi të dytë dixhital, të lidhur me video-regjistruesin. Një mundësi tjetër është video-regjistruesi me dekoder dixhital të integruar.

A mund të regjistroj nga një televizor me dekoder dixhital tokësor të integruar?

Për këtë qëllim, është e nevojshme që video-regjistruesi të jetë i lidhur me një fishë SCART të televizorit që të lejojë si hyrjen, ashtu dhe daljen e sinjalit audio dhe video (SCART IN/OUT). Në momentin që blini një televizor me dekoder të integruar, duhet verifikuar kjo gjë, nëse keni ndërmend ta përdorni edhe video-regjistruesin. Në rastet kur keni ndërmend të regjistroni një kanal, ndërkohë që shihni një tjetër, është e nevojshme që video-regjistruesi të ketë një dekoder dixhital të vetin, ose të përdoret një video-regjistrues me dekoder të integruar.

Çfarë është “Pay-TV”?

“Pay-TV” është një shërbim i televizionit me pagesë. Bëhet fjalë për kanale televizive të cilat mund t’i shohin vetëm shikuesin që kanë bërë një abonim të caktuar, kundrejt pagesës.

Çfarë është shërbimi “Pay-per-View”?

Shërbimi “Pay-per-View” i lejon shikuesit të shohë ngjarje ose emisione të caktuara (për shembull një ndeshje të caktuar futbolli, një film, etj.), të cilat transmetohen në orare të paracaktuara, pas pagesës së një shume të caktuar. Këto emisione janë të kriptuara dhe vetëm shikuesi që ka kryer pagesën është në gjendje t’i shohë ato.

Çfarë është “smart card”?

“Smart card” është një kartë, e cila ka një chip memorje, e cila vendoset në vendin e caktuar në dekoderin e jashtëm ose në modulin e caktuar (Conditional Access Module- Moduli për Akses të Kushtëzuar) për televizorët me dekoder dixhital të integruar. Secili operator që ofron shërbimin e televizionit me pagesë ka kartën e vet smart, e cila përputhet vetëm me ofertën e atij operatori.

Si do të dëgjoj radion pas kalimit në televizion dixhital?

Disa ose të gjitha stacionet radiofonike do të mund të dëgjohen nëpërmjet televizorit. Duke shtypur butonin “radio” në telekomandën e dekoderit tuaj, do të dalë lista e stacioneve radiofonike që mund të dëgjoni.

*Ky informacion është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij informacioni është përgjegjësia e vetme e Institutit Shqiptar të Medias dhe në asnjë rrethanë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pozicionin e Bashkimit Europian.