Ndikimi i jashtëm nuk është një fenomen i ri. Gjatë gjithë historisë – qoftë përmes luftërave, aleancave apo tregtisë – njerëzit dhe kombet gjithmonë kanë ndikuar njëri-tjetrin. Me globalizimin dhe zhvillimin e shpejtë të teknologjive të komunikimit, natyra e ndikimit është bërë më komplekse. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ndikimi i jashtëm nuk është domosdoshmërisht negativ. Megjithatë, në mjedisin e sotëm, ky ndikim është bërë gjithnjë e më pak transparent, shpesh i prekur nga dezinformimi, duke punuar fshehurazi dhe madje disa herë i zbatuar përmes marrëveshjeve të dyshimta sekrete.
Në shoqëritë demokratike ku vendimmarrja publike e informuar është jetike, ndikimet e jashtme duhet të mbeten të hapura për shqyrtim. Mediat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në këtë proces përmes investigimit, analizimit dhe informimit të publikut mbi këto ndikime.
Ky aplikacion, Udhëzuesi për Transparencën, i përpunuar nga Mediacentar Sarajevo në bashkëpunim me Albany Associates në Londër dhe me partnerët rajonalë, është krijuar për të ndihmuar pikërisht në lidhje me këtë tematikë.
Ky aplikacion synon të mbështesë gazetarët dhe studiuesit në rajonin e Ballkanit Perëndimor duke ofruar një qasje efektive në punën e tyre. App-i është menduar posaçërisht për gazetarët që punojnë në rastet e ndikimeve të huaja në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. Udhëzuesi për Transparencën ofron pesë kurse të personalizuara për secilin prej këtyre vendeve, të disponueshme në gjuhën zyrtare të secilit shtet dhe në anglisht.
Kryesisht, Udhëzuesi për Transparencën ofron informacion kryesor mbi praninë e Kinës, Rusisë dhe Iranit në vend dhe në rajon. Këtu përfshihen të dhënat për mënyrat si këto vende janë prezente, institucionet dhe organizatat përmes të cilave ato veprojnë, bashkëpunimin shtetëror, investimet dhe aktivitete të tjera.
App-i i kushton vëmendje specifike fushave me rëndësi të veçantë për gazetarët, ose ku prezenca e këtyre vendeve është më e shpeshtë—siç janë ndikimi në hapësirën e informacionit dhe në ekonomi. Kjo përfshin njohuri dhe raste studimore mbi investimet e huaja direkte, prokurimet publike, etj..
Më tej, aplikacioni ofron informacione për gazetarinë investigative, me udhëzime praktike për përdorimin e mjeteve të ndryshme të fact-checking (verifikimi i fakteve) dhe OSINT (inteligjenca me burim të hapur, INTBH). Këto udhëzime përfshijnë legjislacionin përkatës për aksesin e informacionit, metodat e gazetarisë investigative dhe strategjitë për të luftuar dezinformimin, duke përfshirë përdorimin e mjeteve specifike. Këto informacione mbeten të vlefshme gjërësisht, përtej temës së ndikimit të huaj.
Së fundi, dhe me rëndësi kritike për gazetarët, aplikacioni ofron një listë burimesh dhe kontaktesh, duke nxitur kështu rrjetëzimin midis atyre që janë të angazhuar për të promovuar një shoqëri më transparente.
Bashkë me Mediacentar Sarajevo, aplikacioni u zhvillua nga organizatat partnere rajonale: Instituti Shqiptar i Medias, Shkolla e Gazetarisë në Novi Sad, Instituti i Medias i Malit të Zi dhe Instituti Maqedonas për Media.
Udhëzuesi për Transparencën është i disponueshëm për shkarkim dhe përdorim si në desktop ashtu edhe në smartphone: