“Çmimi i së vërtetës,” është një dokumentar që trajton sulmet brutale ndaj gazetarëve në Serbi, kërkesën e tyre pa përgjigje për drejtësi, si dhe jetën nën mbrojtjen e policisë. Filmi ndjek gazetarin Milan Jovanović, i cili humbi shtëpinë për shkak të zjarrit të qëllimshëm, Vladimir Mitrić, i cili ka 18 vjet që jeton nën mbrojtjen e policisë, si dhe gazetaren investigative Jelena Zorić. Të gjithë kanë një gjë të përbashkët – pavarësisht kërcënimeve dhe presioneve, ata vazhdojnë të punojnë me pasion.
Valentina Delić, regjisorja e dokumentarit, vjen pas një fillim karriere si gazetare në Rdio B92 në fillim të viteve 90. Sipas saj, është thelbësore që të gjitha viktimat e dhunës, përfshirë dhe gazetarët, të marrin trajtim të veçantë. Ata nuk duhet të ekspozohen sërish ndaj traumës gjatë procedurave gjyqësore, si dhe duhe të kenë afate limit të caktuara për fazat e ndryshme të çështjeve gjyqësore.
Dokumentari është realizuar nga Mediacentar Sarajevo dhe SEENPM, në kuadrin e projektit rajonal ‘PËRBALLJE: Përpjekje e shoqërisë civile për të konsoliduar lirinë e medias dhe për të luftuar dezinformimin dhe propagandën e urrejtjes në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.’ Projekti zbatohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian nga organizatat partnere SEENPM, Instituti Shqiptar i Medias, Mediacentar Sarajevo, Kosovo 2.0, Instituti Malazez i Medias, Instituti Maqedonas për Median, Shkolla e Gazetarisë e Novi Sad, Instituti i Paqes dhe Bianet.