Nga: Mirza Ajnadžić
Studiuesi dhe teoricieni i filmit Bill Nichols thotë se ka gjashtë lloje dokumentarësh – poetikë, ekspozues, reflektivë, vëzhgues, performues dhe pjesëmarrës – secili me karakteristikat e veta dalluese. Kjo ka të bëjë me mënyrën se si tregohet ngjarja apo historia nga autori. Një dokumentar poetik flet kryesisht me panorama apo imazhe, me pak intervista, ose pa intervista fare, dhe pa rrëfim në sfond. Me fjalë të tjera, përgjegjësia bie mbi drejtorin e fotografisë që të përzgjedhë imazhe interesante që e shtjellojnë vetë historinë. Dokumentari reflektiv krijon një marrëdhënie të drejtpërdrejtë midis krijuesit dhe publikut, ku autori luan një rol të veçantë si personazh në film. Dokumentari i autorit Dziga Vetrovs “Man with a Movie Camera” (Njeriu me kamera), i prodhuar në vitin 1929, mbahet si një nga krijimet e para dhe më të mira të zhanrit të dokumentarit reflektiv.
Dokumentarët vëzhgues janë deri diku të ngjashëm me dokumentarët poetikë, pasi fokusohen kryesisht në vëzhgimin e hollësishëm të subjektit, ndërsa rrjedha e pamjeve filmike dominohet nga filmimet e gjata, pa shumë ndërhyrje montazhi. Në dokumentarët performues regjisori e transformon filmin dokumentar në një performancë argëtuese. Zakonisht në këto raste autori ka një lidhje të ngushtë personale me temën, dhe shpesh dokumentarë të këtij lloji paraqesin opinione dhe emocione të forta. Në dokumentarin pjesëmarrës autori paraqitet vetë si personazh, në vend që ta vëzhgojë ngjarjen nga larg. Dalin para kamerës dhe intervistojnë personazhet e dokumentarit. Nuk ushtrojnë ndikim direkt mbi temën, por paraqesin versionin e tyre të së vërtetës ose si e gjykojnë ata një situatë të caktuar. Një nga shembujt më të mirë të këtij lloji janë dokumentarët e krijuar nga Louis Theroux, një gazetar amerikano-britanik.
Dokumentari ekspozues është lloji më i zakonshëm, dhe këto dokumentarë kanë për qëllim të informojnë publikun dhe të shpjegojnë çështje, tendenca ose ngjarje të caktuara. Këto dokumentarë përmbajnë intervista, rrëfime, materiale të ndryshme arkivore, dhe paraqesin të dhëna në format vizual për t’ia shpjeguar sa më qartë publikut subjektin në fjalë. Shumica e dokumentarëve që do të përmend në këtë artikull i përkasin kësaj kategorie. Për të qenë sa më e qartë, kam si qëllim të sjell para jush dokumentarë mbi gazetarinë, ndonëse mund të mos jenë realizuar domosdoshmërisht nga gazetarë. Pra, subjekti i dokumentarëve që do të paraqes më poshtë lidhet me punën e gazetarëve, betejat me të cilat përballen çdo ditë, historitë dhe temat që ndjekin gjatë punës së tyre.
RESPONSIBLE (Të përgjegjshëm) roli i medias dhe i gazetarisë në
propagandën luftënxitëse
Kompania serbe e produksionit Arhitel u krijua në vitin 1993, dhe fillimisht ra në për realizimin e dokumentarit me seri Images and Words of Hate (Imazhe dhe Fjalë Urrejtje). Qëllimi i tyre kryesor është lufta kundër censurës dhe keqpërdorimit të medias kur bëhet fjalë për historinë dhe të kaluarën. Dokumentari “Responsible” (Të përgjegjshëm) – 60 minuta i gjatë – i prodhuar në vitin 2022 nga Ivana Lalic, me regji të Goran Kovacic, tregon sesi mediat u përdorën si vegla propagandistike në Serbinë e viteve 1990. Dokumentari përmban intervista me gazetarë dhe pamje arkivore mbi punën e organeve të medias, redaktorëve dhe gazetarëve që ishin pjesë e makinerisë luftënxitëse në atë kohë. “Të përgjegjshëm” është shembulli klasik i një dokumentari televiziv ekspozues që synon të analizojë një situatë të caktuar dhe t’i shpjegojë publikut se si dhe pse profesionistët e medias mund të përdoren si vegla propagande. Dokumentari përdor një metodë të thjeshtë, por shumë të efektshme për të treguar këtë lloj historie, me një seri intervistash të njëpasnjëshme (talking heads) që diktojnë narrativën dhe rrjedhën e dokumentarit. Përgjegjësia e nis rrëfimin që nga vitet 1990 deri në ditët e sotme, duke treguar se sa të domosdoshme janë mediat e bindura për mbijetesën e regjimeve antidemokratike, dhe e nxit publikun që të hamendësojë se si do të kishin shkuar gjërat nëse media do të ishte e pavarur.
USING FORCE ON THE SEVENTH – MONTENEGRO CASE (Përdorimi i dhunës mbi median – Rasti i Malit të Zi) “Me pak fjalë – një panoramë e zymtë e një situate ku mediat nuk lejohen të punojnë lirshëm dhe të kritikojnë qeverinë, duke mos i lejuar që të luajnë rolin e tyre si një nga shtyllat e demokracisë,” citim nga folësi në sfond.
Ky dokumentar 60 minutësh i prodhuar në vitin 2018 fokusohet mbi sulmet ndaj gazetarëve. Ofron një panoramë të zymtë të një shoqërie ku gazetarët mund ta paguajnë shtrenjtë angazhimin në gazetari investigative. Në dokumentar paraqiten gazetarë malazezë që kanë raportuar për raste korrupsioni dhe për pasojë janë bërë objekte sulmesh, madje në disa raste edhe janë vrarë. Ajo që e bën edhe më të zymtë atmosferën në dokumentar është fakti se asnjë nga ato raste nuk është zgjidhur nga policia, prokurorët dhe gjyqtarët malazezë. Autorët e dokumentarit thonë se mosndëshkimi i krimeve kundër gazetarëve nxit më shumë sulme ndaj kolegëve të tyre, si dhe ngrenë një pyetje logjike: a janë autoritetet bashkëfajtore në këto sulme? Ky dokumentar ekspozues përdor intervista, pamje arkivore dhe materiale filmike të papërdorura më parë.
DANGEROUS NETWORK (Rrjet i rrezikshëm) “65% e sulmeve ndaj gazetarëve në internet u drejtohen gazetareve femra.” – citim nga dokumentari.
Dokumentari 12 minuta i gjatë Dangerous Network (Rrjet i rrezikshëm) nga Maqedonia e Veriut flet mbi sulmet në internet ndaj gazetareve. Bazohet mbi punën studimore nga PINA (Platforma për Gazetari Investigative dhe Analizë). Ky dokumentar është një përzierje videoreportazhi, filmi dhe videoje promovuese. Autorët përdorën imazhe të krijuara nga kompjuteri (CGI), intervista dhe materiale filmike që tregojnë elemente nga jeta e përditshme e personazheve, duke krijuar idenë e një materiali filmografik.
JUNK FOLDER / BURDEN OF EXPERIENCE / THE PRICE OF TRUTH (Koshi i plehrave / Barra e përvojës / Çmimi i të vërtetës) Një seri dokumentarësh të prodhuar nga SEENPM dhe Mediacentar Sarajevo
Këto tre dokumentarë u prodhuan nga SEENPM dhe Mediacentar në kuadër të Projektit Përballje (Resilience project). Junk folder, me autor Alen Simiç, u shfaq për herë të parë në shtator 2021. Paraqet historinë e lajmeve të rreme që kanë patur ndikim mbi shoqëritë e Ballkanit Perëndimor gjatë viteve të fundit. Ky dokumentar 30 minutësh përdor mënyra inovative të tregimit të historisë. Autori përdor shpesh, dhe në mënyrën e duhur, imazhe të krijuara nga kompjuteri për të simuluar një vend depozitimi mbeturinash, duke sugjeruar, sipas mendimit tim, vendin e duhur ku duhet të përfundojnë lajmet e rreme. Veçanërisht interesante është një sekuencë ku shihen pëllumba që hanë nga ky grumbull plehrash – një alegori e zgjuar që përshkruan një shoqëri “që ha atë që i serviret”, edhe kur janë plehra. Po kështu, një sërë intervistash të shkëlqyera bëjnë që dokumentari të jetë goxha argëtues, ndonëse kjo temë e rëndësishme në pamje të parë nuk duket edhe aq tërheqëse nga ana filmike. Dokumentari është një realizim inteligjent, vizualisht interesant dhe fokusohet mbi një temë të rëndësishme, kështu që ia vlen ta shikosh.
Barra e përvojës, me regji nga Sabrina Begoviç Çoriç, u shfaq për herë të parë në nëntor 2022. Përsa i përket mënyrës së tregimit të historisë, kameras dhe regjisë, për mendimin tim është dokumentari më i mirë nga të gjithë filmat e përmendur këtu. Dokumentari tregon historinë e tre gazetareve të njohura nga Bosnja, Kosova dhe Serbia në një mënyrë shumë të thjeshtë. Bazohet mbi një bisedë në një studio radiofonike mes tre protagonisteve. Ato diskutojnë mbi kërcënimet dhe rreziqet me të cilat përballen çdo ditë për shkak të punës së tyre dhe ndikimin në jetën e tyre të përditshme, një temë e rëndësishme që shtjellohet në mënyrë të thjeshtë, por të efektshme.
Çmimi i të Vërtetës është dokumentari i fundit në këtë seri, i publikuar në internet në shkurt të këtij viti. Ai përqendrohet te sulmet ndaj gazetarëve në Serbi. “Dokumentari flet rreth gazetarëve Milan Jovanoviç, të cilit i kanë djegur shtëpinë, Vladimir Mitriç, që ka jetuar nën mbrojtjen e policisë për 18 vjet, si dhe gazetares investigative Jelena Zoriç,” – lexohet në tekstin që shoqëron dokumentarin. Çmimi i të Vërtetës fillon me dëshminë e Milan Jovanoviçit, në stilin e folësit, ndërkohë që publikut i paraqiten pamjet e shtëpisë së djegur nga zjarri ku jetonte gazetari me gruan e tij. Kjo pasohet nga historia e gazetarit Vladimir Mitriç, që jeton nën mbrojtjen e policisë, dhe gazetares investigative Jelena Zoriç. Secila nga këto tre rrëfenja mund të ishte një dokumentar më vete, dhe deri diku besoj se do të ishte më mirë ashtu. Sidoqoftë tre historitë lidhen mirë me njëra-tjetrën, autorja Valentina Deliç ka realizuar një material interesant nga ana vizuale, dhe ky dokumentar nuk duhet humbur.
Ajo që i bën këta tre dokumentarë interesantë është sinergjia midis OJQ-ve në fushën e medias, që punojnë për përmirësimin e situatës rreth çështjeve të rëndësishme shoqërore, dhe kineastëve, që përqendrohen kryesisht te ana filmike e gjërave.
Këtu mund të shikoni një përmbledhje të shkurtër video nga të gjithë dokumentarët në listë. (Kujdes: Materialet e mëposhtme filmike përmbajnë pamje që disa personave mund t’u duken shqetësuese!)
Në vend të PËRMBLEDHJES
Gazetaria dhe prodhimi i filmave dokumentarë kanë shumë të përbashkëta mes tyre. Që të dyja janë në kërkim të historive që ia vlen të tregohen, veçanërisht të atyre historive që duhet me të vërtetë t’i tregohen publikut. Ka një tendencë në rritje mes gazetarëve dhe organeve të medias për të prodhuar dokumentarë për të treguar histori të ndryshme. Por gazetarët shpesh e kanë të vështirë t’i përmbahen motos Mos përshkruaj, trego (Show, don’t tell), një teknikë e përdorur në prodhimin e materialeve filmike që mbështetet kryesisht në përmbajtjen vizuale. Ndoshta ajo që çalon në dokumentarët e prodhuar nga gazetarët dhe mediat në rajon është mungesa e përdorimit të metodave të reja në paraqitjen vizuale. Por kjo nuk do të thotë se ka ikur koha e dokumentarit të thjeshtë ekspozues – nganjëherë është mënyra më e mirë për të treguar një histori të caktuar.
Mënyra që zgjedhim për ta treguar një histori ndonjëherë është po aq e rëndësishme sa vetë ngjarja apo historia. Mjafton të shikojmë filmin e Ari Forman “Waltz with Bashir” (Vallëzim më Bashirin) të vitit 2008. Ky është një dokumentar i animuar ku autori interviston shokët e tij të luftës për të mbushur boshllëqet në kujtesë mbi ngjarjet e vitit 1982 në Liban. Kjo është një histori e mahnitshme sido që të jetë puna, por teknika filmike e përdorur krijoi një dokumentar të mrekullueshëm. Nëse mendon se filmat mbi gazetarinë ose filmat gazetareskë nuk mund të kenë elementë dramatikë brenda, duhet të shikosh dokumentarin rumun të vitit 2019 “Collective” (Kolektivi) me autor Alexander Nanau. Shpesh përdoren edhe metoda e qasje të reja për realizimin e filmave. Mjafton të marrësh në dorë kamerën ose celularin dhe të filmosh diçka që mendon se ia vlen të dokumentohet dhe mund të realizosh si pa dashje një film të mrekullueshëm, si dokumentari i vitit 2016 “Cameraperson” (Kameramania) nga Kirsten Johnson, apo një film po aq të mahnitshëm sa “For Sama” (Për Samën) me autore Waad Al-Kateab, i krijuar në vitin 2019. Ajo që po mundohem të them është se shpresoj që mediat dhe gazetarët të mundohen, atëherë kur është e mundur dhe e përshtatshme, që të tregohen më krijues dhe zbavitës gjatë krijimit të filmave dokumentarë.
Financuar nga Bashkimi Evropian
Programi rajonal ‘PËRBALLJE: Përpjekje e shoqërisë civile për të konsoliduar lirinë e medias dhe për të luftuar dezinformimin dhe propagandën e urrejtjes në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi’ zbatohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian nga organizatat partnere SEENPM, Instituti Shqiptar i Medias, Mediacentar Sarajevo, Kosovo 2.0, Instituti Malazez i Medias, Instituti Maqedonas për Median, Shkolla e gazetarisë në Novi Sad, Instituti i Paqes dhe Bianet.
Ky artikull është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e SEENPM dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.