“Edukimi për Median dhe Informacionin: Sfida dhe perspektiva” është një përmbledhje e kumtesave të prezantuara në konferencën “Edukimi Mediatik në Shqipëri”, të cilat sjellin për publikun e interesuar tematikat kryesore dhe bashkëkohore sa i përket Edukimit për Median dhe Informacionin.
Botimi përmban kontribute të autorëve të ndryshëm të fushës, të cilët paraqesin perspektivat dhe sfidat në lidhje me edukimin për median dhe informacionin në arsimin formal parauniversitar dhe universitar, formimin e studentëve të gazetarisë dhe atyre të mësuesisë, mbështetjen e ndërhyrjeve EMI bazuar në të dhëna empririke, përdorimin e Inteligjencës Artificale në media, përmirësimin e portretizimit të diversitetit në media, si edhe përdorimin e EMI në hapësirën virtuale, specifikisht në rrjetet sociale.
Autorët përveçse paraqesin kontekstin bashkëkohor të Edukimit për Median dhe Informacionin në vendin tonë, sjellin edhe analiza krahasuese, shoqëruar më sugjerime përkatëse për zbatueshmërinë e qasjeve efektive, që synojnë të kontribuojnë në rritjen e nivelit të edukimit për median dhe informacionin në masë të gjerë.
Publikimi është realizuar në kuadër të projektit “Java e Edukimit Mediatik në Shqipëri”, mbështetur financiarisht nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA. Mendimet, gjetjet, përfundimet dhe rekomandimet e shprehura në këtë publikim janë vetëm ato të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të AMA-s apo të Institutit Shqiptar të Medias.