Nga Astrit Dautaj
Prej mëse një dekade, edukimi për median dhe informimin është shfaqur në arsimin shqiptar në forma e intensitete të ndryshme. Në disa raste është ofruar me pretendimin e një edukimi të rëndësishëm (dhe i tillë është) që duhet të ketë vend të privilegjuar në procesin e mësimdhënies e, në raste të tjera, është ofruar në formën e një materiali konkret mësimor për mësues ose nxënës. Nuk kanë munguar ndërhyrjet e individëve vizionarë që veprojnë në fushën e medias të cilët i janë ofruar sistemit me ide konkrete, ashtu sikurse, herë pas here, janë zhvilluar edhe veprimtari të përbashkëta të institucioneve të ndryshme me ato arsimore të cilat nuk kanë mundur të nxisin e të krijojnë vazhdimësi në këtë fushë. Thjesht, deri para pak vitesh, edukimi për median dhe informimin nuk arriti të bëhej më shumë se shqetësim që herë pas herë i shtohej listës së gjatë të çështjeve që diskutoheshin të rëndësishme për shoqërinë dhe arsimin.
Gjatë kësaj periudhe, përtej marrëdhënieve të edukimit për median me arsimin, dhe paralel e to, ne kemi parë një medie gjithnjë e më protagoniste e përfshirë aktivisht në informimin dhe diskutimin e mjaft çështjeve kundërshtuese të natyrave të ndryshme, ashtu sikurse kemi parë një medie në një dimension negativ, si prodhuese e lajmeve të rreme e për më tepër e lajmeve ose shkrimeve që prodhonin urrejtje. Ndërkohë, roli i saj, veçanërisht i medias elektronike u rrit në përmasa të mëdha, saqë kjo e fundit, e ndihmuar nga larmia e pajisjeve teknologjike u bë i vetmi burim informimi, veçanërisht për të rinjtë, të cilët merrnin për të mirëqenë edhe çdo informacion që vinte prej saj.