Autore: Semiljana Azizi
Krahas pushtetit ekzekutiv, parlamentar e gjyqësor, media dhe gazetaria janë pjesë e “pushtetit të katërt” dhe indicator kryesorë për tri pushtetet e tjera. Si çdo profesion tjetër, gazetaria ka nisur të ndikohet dhe përshtatet me ndryshimet teknologjike, në formën e trajtimit, vlerësimit dhe raportimit të lajmeve. Teksa pritshmëritë për rritjen e standardit, profesionalizmit dhe zbatimit të etikës së medias janë gjthmonë në rritje, duket se “veprat” tregojnë tjetër gjë.
Së fundmi, gazetarisë cilësore ka nisur t’i zbehet vlera, kjo për shkak të zhvillimit të hovshëm teknologjik dhe krijimit të iluzionit se është një profesion “i lehtë”, që mund të bëhet nga të gjithë personat me apo pa kualifikimet përkatëse.
Nga ana tjetër, kalimi nga gazetaria tradicionale dhe ajo e shtypur, në gazetarinë online, ka bërë që të shtohet sasia e lajmeve, por jo cilësia e tyre. Trendi i ri i zotërimit të një portali dhe marrja e fuqisë së krijimit të lajmit apo përdorimit të metodës “copy-paste” ka bërë që gazetaria e mirë, profesionale dhe që zbaton standardet etike, të cënohet rëndë.
Gazetaria e “klik-ut” dhe e sensacionit, e cila së fundmi ka marrë një hov të madh, vijon të jetë një goditje e fortë dhe dominuese për gazetarinë cilësore. Vetëm nga një kërkim i vogël në Google mund të evidentohen titujt “bombastikë”, fotot shpesh të dala jashtë kontekstit apo të keqpërdorura pa një vlerë lajmi, sicc janë pamjet e aksidententeve, të cilat synojnë ndikimin emocional të audiencës. Ndërkohë teksti, aspak në lidhje me gazetarinë profesionale, nuk njeh kufi etikë, norma shkrimi, raportimi të drejtë dhe të paanshëm, e madje as korrektësi gramatikore.
Vlen të përmendet se në tregun mediatik në Shqipëri, janë shtuar masivisht portalet “fantazmë”, të cilat nuk janë të regjistruara askund si media dhe nuk kontrollohen nga askush për përmbajtjen që transmetojnë, duke u bërë hërë pas here, shqetësuese dhe problematike pasi prodhojnë lajme të rreme, gjuhë urrejtjeje, seksizëm, dezinfirmim e keqinoformim. Shumica e mediave online në luftë të përditshme për klikime dhe pëlqime të audiencës, shpesh, pa asnjë lloj kriteri dhenë mënyrë të qëllimshme, zgjedhin të publikojnë lajme që nuk kanë asnjë grimë profesionalizmi brenda.
Por e gjithë kjo situatë dhe ky kaos digjital, a po e dëmton gazetarinë cilësore? Mund ta ndikojë disi, por padyshim, si çdo risi, e cila vjen me vrull, arrin kulmin e saj dhe bie sërish, për t’u rikthyer tek profesionalizmi. Vlerat e vërteta nuk humbasin kurrë!
Edhe pse deri tani nuk ka ndodhur, urojmë që së shpejti të gjitha instancat e mbikqyrjes së mediave audiovizive të krijojnë një hapësirë ligjore rregullatore për portalet dhe gazetarinë online. Nga ana tjetër, gazetari, duhet të jetë i sofistikuar në mënyrën e marrjes së informacionit, vlerësimit dhe transmetimit të përshtatshëm të tij, në përputhje me Kodin e Etikës. Detyra e parë dhe themelore e një gazetari është informimi i audiencës dhe pikërisht kjo është fija e hollë e diferencës së madhe mes gazetarisë cilësore dhe asaj amatoreske e abuzuese.
Mbase përparimi i teknologjisë, nuk do ta rikthente kurrë kohën pas për të fuqizuar edhe njëherë radion apo gazetën e shkruar, ama padyshim që do të ndikonte në progresin e gazetarisë cilësore. Sigurisht, zgjedhja e lirë i mbetet publikut, që në hapësirën e madhe të medias online dhe offline, mes abuzimit, luftës për klikime dhe raportimit korrekt të lajmit, të zgjedhë atë që i duket më e përshtatshme, por gjithnjë duke zbatuar kompetencën e edukimit mediatik: të qënit kritik!
Programi i shkëmbimit të gazetarëve nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u zbatua në bashkëpunim me UNESCO-n, Institutin Shqiptar të Medias dhe Institutin Maqedonas të Medias. Programi synonte të fuqizonte të rinjtë që të përfshihen në narrativa konstruktive, të forcojnë dialogun ndërkulturor, përfshirjen, barazinë gjinore dhe të krijojnë mirëkuptim dhe besim të ndërsjellë në rajon.