Ftesë për pjesëmarrje
Qëllimi i këtij konkursi është nxitja e edukimit për median dhe informacionin nëpërmjet mjeteve vizuale. Tema e konkursit është: “Edukimi për median dhe informacionin për të gjithë.” Të rinj të moshës 18-30 vjeç ftohen të konceptojnë dhe dizenjojnë produkte vizuale që përçojnë mesazhet e rëndësisë së edukimit mediatik te qytetarët.
Sugjerime për tema të mundshme që mund të paraqiten grafikisht mund të jenë si më poshtë, por jo patjetër të kufizuara vetëm te këto tema:
- Edukimi për median
- Edukimi për lajmet/informacionin
- Edukimi për kompetencat dixhitale
- Mendimi kritik për median dhe informacionin
- Ndërgjegjësimi për median dhe informacionin dhe pjesëmarrja qytetare
- Liria e shprehjes dhe e drejta për informim
- Etika profesionale dhe komunikimi masiv, etj.
Produktet mund të jenë në formate të ndryshme, të tilla si postera, ilustrime, grafika, video të shkurtra, infografika, etj.
Produktet vizuale do të vlerësohen në bazë të aftësisë për të përcjellë, analizuar dhe interpretuar mesazhe pozitive për nevojën për t’u ndërgjegjësuar për konceptin e edukimit për median dhe informacionin dhe aftësive bazë që duhet të kenë qytetarët në këtë aspekt. Produktet fitues do të promovohen në rrjetet sociale.
Cilat janë çmimet?
- Çmimet do të variojnë nga 250-500 USD. Përveç aftësisë për të paraqitur konceptin vizualisht, do të ndikojë edhe formati i paraqitur dhe vështirësia krijuese.
- Në varësi të aplikimeve, mund të jepen gjashtë çmime për produkte vizuale të formateve të ndryshme.
- Shumat e çmimeve paraqiten në vlerë bruto, nga të cilat bëhen zbritje në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
Kush mund të marrë pjesë?
- Individë në grupmoshën 18-30 vjeç. Një individ mund të aplikojë vetëm një herë si i tillë.
- Grup individësh me të njëjtën grupmoshë si më sipër. Një individ mund të garojë jo më shumë se dy herë: një herë vetëm, por edhe një herë si pjesë e një grupi.
Kriteret për produktet vizuale:
- Produktet duhen dërguar në format dixhital, në adresën ilda@institutemedia.org, jo më vonë se data 25 nëntor, 2024.
- Posterat, ilustrimet, apo grafikat duhen dërguar në format PDF, JPG, ose PNG.
- Videot duhen dërguar nëpërmjet wetransfer në formatin MP4, në adresën ilda@institutemedia.org.
- Secili aplikim duhet të jetë punë origjinale dhe të mos shkelë të drejtat e autorit dhe të pronësisë intelektuale.
- Produktet mund të jenë vetëm konceptime vizuale dhe grafike, por mund të përmbajnë dhe statistika, mesazhe, apo informacione të tjera në formë teksti.
- Aplikimet që nuk plotësojnë kriteret nuk do të pranohen për vlerësim.
- Një juri ekspertësh me tre anëtarë do të gjykojë për vlerësimin e posterit më të mirë në këtë konkurs.
- Vendimi do të shpallet dy javë pas mbylljes së konkursit.
Ky konkurs është pjesë e projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin në universitete shqiptare: nga pilotimi në zbatim.” të zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias, me mbështetjen financiare të Ambasadës Amerikane në Shqipëri.