Nëse media nuk raporton vetëvrasjet a ulet numri i tyre? E shtroj këtë pyetje pasi studime të shumta tregojnë se shkrimet dhe kronikat televizive rreth vetëvrasjes janë të lidhur me rritjen e tentativave për vetëvrasje në zonën që mbulojnë këto media.
Por nëse kjo pyetje hap debatin e censurës, pyetja pasuese është si duhen raportuar vetëvrasjet.
Historia e largët dhe e afërt na ndihmon që të japim një përgjigje për këtë pyetje dhe debat jo të lehtë. Një nga asociimet më të hershme të medias dhe vetvrasjeve është viti 1774, kur 24 vjeçari Gëte botoi novelën e tij të sukseshme “Vuajtjet e djaloshit Verter”. Në këtë novelë, të cilën Napoleon Bonaparti e konsideronte si një nga kryeveprat e literaturës europiane, heroi Verter vret veten pasi dështoi në dashuri. Menjëherë pas botimit u raportuan raste të të rinjve që kryenin vetëvrasje tamam si djaloshi Verter. Supozohet se janë mbi 2000 lexues që kanë vrarë veten të veshur njëlloj si Verter (pantallona të verdhë dhe xhaketë blu) dhe në të njëjtin vend në tavolinën e punës. Kjo çoi në ndalimin e qarkullimit të librit në disa vende (Gjermani, Itali, Danimarkë). Kjo u quajt “Efekti Verter” dhe këtu e 250 vjet më parë media fajësohet për efektin domino të vetëvrasjeve.
Duke ju referuar historisë moderne Steven King në librin e tij “Zemërimi” ka shërbyer si model të paktën për 10 raste vrasjesh/vetëvrasjesh në shkollë. Një nxënës vret mësuesin në klasë, vret edhe disa shokë, merr peng klasën. Pas botimit të këtij libri më 1977, rasti i parë regjistrohet në vitin 1982, pastaj më 1993, në 1996, në 2001, 2003, 2004 etj. King nuk e ribotoi më librin. Por dëmi vijon me dekada të tëra.