nga Irena Myzeqari
… “31-vjeçari Elton Metaj qëlloi për vdekje ish-bashkëshorten Sabrina Benga. Policia bëri të ditur se ka arrestuar autorin e krimit mëngjesin e sotëm. Sabrina la pas një foshnje 2 vjeç” …
… “Shqipëri: mbi 100 gra dhe vajza të vrara në 18 vjet…”
… “vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 2021, ka pasur 1549 kërkesa për urdhër-mbrojtje, 2436 raste të dhunës në familje, 383 raste më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2020” …
… “ Nga Tirana në Bubq, për të vrarë gruan / Mister arsyet e krimit në familje, hetuesit: Gruaja u qëllua me mllef disa herë nga bashkëshorti”
… “Gruaja e cila vdiq nga dhunimi seksual i burrit, 6 vjet pas mungon drejtësia…”
***
Këta tituj janë një dëshmi e trishtë që vjen prej familjes shqiptare. Ndërkohë që secili shpejton të shprehë indinjatën e tij në rrjete sociale apo edhe me protesta në qytet, kur dritat bien, të gjithë jemi sërish pa përgjigje se nga buron kjo dhunë. Dikush nga errësira thotë se është kultura që pjell të tilla shfaqje, disa të tjerë thërrasin në skenë për të fajësuar modernitetin dhe braktisjen e traditës, ndërsa të tjerë mbeten guhakë përballë pamundësisë për të dhënë një përgjigje a gjetur një zgjidhje.
Falë Zotit jetojmë në shekullin e masmedias. Mediumet që na lajmëruan për vrasjet, do të na japin edhe përgjigjet!
Duket paradoksale, por sot ne e përjetojmë realitetin në bazë të mediumeve që konsumojmë. Për shumë autorë, arsyeja se pse njerëzit e shohin botën si një vend të rrezikshëm, gjendet te mënyra se si media, veçanërisht televizioni, e pasqyrojnë realitetin. Por nëse efektet e shumë programacioneve, mund të maten të shtrira në kohë e në gjenerata, transmetimi apo pasqyrimi i lartë i dhunës në faqet e para të gazetave, edicionet kryesore të lajmeve apo nëpër titujt bombastikë të portaleve, ka një efekt të drejtpërdrejtë në shpërfaqjen e dhunës dhe rritjen e mundësive që ajo të shumëfishohet në format e saj më të egra. Nisur nga ky konstatim teorik, ky shkrim synon të prekë një nga problemet më sensitive të shoqërisë shqiptare, atë të dhunës me bazë gjinore dhe se si media mund te kthehet në një aleat i të mirës apo i së keqes, në varësi të teknikave të raportimit apo gjuhës së përdorur nga strukturat e saj.
Media si pasqyrim dhe gazetari i pafajshëm!
Në hapësirën publike shqiptare ka filluar të artikulohet rëndom një tezë se fajin për lajmin e ka gazetari/gazetarja. Njëanshmëria, mungesat profesionale apo pamundësia për të njohur mirë rrethanat, duket se detyrojnë shumë njerëz të medias të bien pre e një raportimi, i cili duket të mbështetet në parimin “thashë çfarë pashë”. Ndërkohë që gazetarë të tillë mund të punojnë vërtet në mediat tona, prirem të besoj se e vërteta nuk është kaq e prerë me thikë.
Individi nuk operon i vetëm, por është një qenie që ndikohet nga trendet antropologjike/sociale të mjedisit. Thënë kjo, gazetari lëviz brenda një sistemi mediatik, i cili ditët e sotme udhëhiqet më shumë nga parimi i shpejtësisë sesa cilësisë. Sigla “të parët për lajmin e fundit” tingëllon qesharake e në të njëjtën kohë na alarmon kur duhet të raportohet që një vrasje është kryer, e për hir të një vërtetësie të shtirur të jepen detaje të cilat dëmtojnë jo vetëm viktimat por edhe audiencën.
Janë të shumta rastet kur mbulimi mediatik, dedikuar vrasjeve të jetë një paradë e gjatë detajesh private të viktimës, raporteve të saj me familjen apo edhe me vetë vrasësin. Të kapur nga kjo mani, mediat kanë harruar se detyra e tyre nuk është vetëm përçimi i informacionit, por shkon më tej me elementet e analizës së fakteve, shkaqeve dhe pasojave të ndodhive të tilla. Privatësia një personi nuk duhet mbrojtur vetëm nga gazetari, duhet të garantohet nga media. Media është sistemi nga i cili duhet të rrjedhin parimet etike të raportimit. Media duhet të ndalojë së kërkuari gazetarit që të japë detaje identifikuese, vendndodhjen e aksidentit, fotografi apo të dhëna të tjera. Të gjitha këto, jo vetëm vrasin edhe njëherë viktimën, por krijojnë një efekt domino dhimbjeje në perceptimin publik, pamja e realitetit të së cilit gjymtohet rëndë nga shfaqje të tilla.
Media si krijim i realitetit dhe gazetari si agjent ndryshimi
Feminizmi është një nga shkollat më të rëndësishme të mendimit kritik në media. Studiues të shumtë, kanë parë te gjuha e produkteve mediatike, terrenin ku përplasen domethëniet simbolike të një kulture, si roli i gruas dhe burrit në shoqëri, stereotipizimet, paragjykimet etj. Të gjithë ata i bashkon besimi se gjuha është një ndërtim mashkullor dhe si konstrukt social u ka shërbyer më shumë burrave sesa grave, të cilat kanë vuajtur mbi supe gjithë stigmatizimet, e lidhura me gjininë e tyre.
Një nga efektet e drejtpërdrejta të fuqisë së gjuhës së përdorur nga media është normalizimi i dhunës ndaj grave. Ky efekt është ndërtuar ngadalë, por fuqishëm nga seksualizimi i jashtëzakonshëm i hapësirës mediatike, me anë të reklamave, imazheve seksiste, roleve që u janë dhënë grave etj. Zbatues me rigorozitet të agjendës liberale ku subjekti grua është një subjekt i fuqishëm sasior, media ka ushqyer audiencat me idenë false të një barazie të arrirë, ku realiteti apo mundësia për t’u vrarë janë përherë e më të vogla. Madje media, duke dashur të imponojë një diktaturë feministe, e cila në fakt është diktatura seksiste, ka lënë zbuluar shumë gra, mbrojtja e të cilave do të vinte pikërisht nga fuqizimi esencial i gjinisë së tyre në hapësirën publike. Thënë kjo, media ka krijuar sërish realitete të përçudnuara, duke harruar se këtë fuqi mund ta përdorte edhe për të fuqizuar gruan, duke e mbrojtur jetën e saj më shumë.
Një kontribut konkret i medias do të ishte përfshirja në të gjitha produktet televizive, lajme, kronika, show, çfarëdo qofshin ato të një gjuhë e cila tregon saktësisht problemet që vuajnë gratë. Pamundësia ekonomike, abuzimi psikologjik apo seksual, bullizmi online, martesat me detyrim apo vrasja, janë forma të ndryshme të dhunës që ushtrohen ndaj grave, forma të cilat mund të behën më të dukshme nga një media që përpiqet jo vetëm të raportojë por edhe të edukojë audiencat falë pushtetit të saj. Në këtë moment, gazetari resht së qeni një punonjës i medias dhe kthehet në agjent ndryshimi, duke krijuar modele të reja të raportimit dhe ndërtimit të lajmit. Roli i medias dhe i profesionistëve të ardhshëm të medias duhet të fokusohet te ndryshimi i perceptimeve dhe sjelljeve rreth dhunës me bazë gjinore; vetëm duke përmirësuar skemat aktuale të raportimit, me anë të një përzgjedhjeje cilësore të temave si dhe me anë të identifikimit të burimeve të përdorura për historitë, mund të sjellin një model të ri të raportimit dhe të rolit të medias në shoqëri.
Metakomunikim
E VËRTETA vijon të mbetet një kategori joshëse për mendimin filozofik modern. Ndërkohë që mundësitë praktike të saj, duken të kapura nga bota e post-truthit, ku është vështirë ta përjetosh të vërtetën si kategori imperative. Media duket se vuan më shumë nga kjo pamundësi e prekjes finale të së vërtetës e për rrjedhojë të krijojë një marrëdhënie problematike më të.
Herë ndjek mitin e pasqyrës me idenë se e vërteta do të shpërfaqet prej saj, e herë të tjera rreket të ketë fuqi krijuese e të ndërtojë realitete sublime, ku e vërteta vjen si vlerë finale. Cilado qoftë rruga që ndjek për t’iu qasur asaj, media duhet të kuptojë që është njerëzore, dhe mënyra se si bëhet duhet gjithashtu të niset nga parimi i të ndërtuarit të një bote njerëzore, ku e vërteta nuk duhet ushqyer vetëm si filozofi, por si një përpjekje e çdo njeriu që i rastis të kalojë ca kohë në planetin tonë.