Instituti Shqiptar i Medias, në bashkëpunim me Mediacentar Sarajevo dhe Albany Associates fton studentët e gazetarisë dhe komunikimit të aplikojnë për një program trajnimi dhe praktike mediatike që përfshin pesë ditë trajnimi dhe një periudhë një-mujore praktike pranë disa nga mediave kryesore në vend.
Programi i trajnimit do të trajtojë nocionet bazë të raportimit në gazetari, parimet themelore të raportimit dhe investigimit, mënyrat e verifikimit të dezinformimit, roli i mediave sociale, dhe të tjera tema të ngjashme. Trajnimi do të kryhet nga gazetarë me përvojë dhe ekspertë të medias dhe informacionit.
Pas trajnimit, studentët do të kenë mundësinë të kryejnë punë praktike si pjesë e redaksisë në disa nga mediat kryesore në vend, të vendosura në Tiranë.
Për pjesëmarrjen në trajnim dhe në praktikën e punës studentët do të përfitojnë një pagesë të arsyeshme. Pjesëmarrja në të dyja fazat e programit, si trajnimi, dhe praktika, është e detyruar.
Kohëzgjatja:
Trajnimi fillestar është parashikuar të zhvillohet më 23-27 nëntor, 2020.
Puna praktike do të zhvillohet në periudhën 30 nëntor – 30 dhjetor, 2020.
Kush mund të aplikojë?
- Studentët e degës gazetari ose komunikim, viti i fundit Bachelor dhe studentët e degës gazetari ose komunikim Master.
- Studentët duhet të kenë njohuri për parimet bazë të raportimit dhe gazetarisë.
- Studentët duhet të dinë të përdorin mirë kompjuterin.
Rreth dhjetë studentë mund të marrin pjesë në këtë program. Ata do të përzgjidhen pas aplikimit dhe duke u konsultuar dhe me mediat pjesëmarrëse.
Si mund të aplikohet?
Aplikantët duhet të dërgojnë formularin e plotësuar në adrësën: ilda@institutemedia.org deri më datë 18 nëntor, 2020. Për cdo pyetje apo paqartësi mund të kontaktoni të njëjtën adresë.