Ky raport vjetor paraqet situatën në lidhje me gjuhën dhe diskursin e urrejtjes dhe diskriminimit në mjedisin mediatik shqiptar. Raporti bazohet në monitorimin e mediave gjatë periudhës Janar – Dhjetor 2023. Subjekt i monitorimit kanë qenë incidente që përmbanin mesazhe urrejtje dhe diskriminimi (hateful and discriminative discourse – HDD) të prodhuara, shpërndara apo edhe të toleruara nga media, duke përfshirë si mediat tradicionale, mediat e reja dhe mediat sociale.
Rastet problematike u identifikuan duke përdorur kërkimin me fjalë kyçe dhe duke bërë monitorim ditor të organeve të ndryshme mediatike. Monitorimi u përqendrua mbi incidente që përmbanin gjuhë urrejtje mbi baza gjinore, përkatësie etnike, fetare, ndaj pakicave seksuale, emigrantëve dhe refugjatëve. Gjatë studimit u identifikuan edhe kategori të reja, si sulme ndaj gazetarëve, kundërshtarëve politikë, etj, që u raportuan dhe u përfshinë në këtë raport.
Tre grupet që vihen më shpesh në shënjestër nga gjuha e urrejtjes dhe diskursi diskriminues janë gjinia (41%), përkatësia etnike (38%) dhe pakicat seksuale (11%). Çështja e gjuhës së urrejtjes mbi baza gjinore mbetet një nga shqetësimet kryesore. Gjatë vitit 2023 kemi vënë re se media, gazetarë, figura publike, artistë, profesionistë e intelektualë nuk kanë hezituar që të bëjnë deklarata të ashpra kundër grave dhe vajzave të të gjitha moshave dhe prejardhjeve, duke përfshirë: gazetaret, nënat e reja, vajzat adoleshente, këngëtaret, gratë mbi 30 vjeç, të pastreha që detyrohen të punojnë si prostituta, vajza të reja me aftësi të kufizuara mendore, etj. Edhe rastet kur burrat dhe djemtë portretizohen në mënyrë përçmuese zakonisht kanë të bëjë me incidente që lidhen me situatën e grave brenda familjes ose me marrëdhëniet me partnerët e tyre.
Për sa i përket përkatësisë etnike, ka një rritje të diskursit të urrejtjes dhe diskriminimit ndaj emigrantëve dhe refugjatëve, si pasojë e disa iniciativave të fundit të qeverisë në lidhje me mikpritjen e përkohshme të emigrantëve nga Italia.
Për më shumë, ju ftojmë të lexoni raportin e plotë në Shqip, këtu:
Raporti i plotë në Anglisht, këtu: