Nga Erlis Çela
A mund të imunizojmë qytetarin e sotëm nga fake news dhe teoritë konspirative? Jetojmë në kohë pandemie dhe terma të tilla si imunizimi dhe vaksina janë ndoshta nga fjalët më të përfolura nga të gjithë. Shkenca dhe shoqëria i ka varur shpresat e shpëtimit nga pasojat e COVID-19 pikërisht tek imunizimi i popullatës përmes vaksinës. Ndërkohë që diskutimet mbi vaksinën përbëjnë sot një nga temat më të nxehta si për shkencën, ashtu edhe për politikën, një tjetër problem i rëndësishëm kërkon zgjidhje të shpejtë. Trajtimi i problematikave që lindin nga ekspozimi ndaj produktit mediatik dhe informacionit në përgjithësi të kategorive të ndryshme të audiencës, të cilat nuk kanë njohuritë e duhura dhe aftësitë për të kuptuar, klasifikuar dhe analizuar në mënyrë kritike përmbajtjen.
Ndonëse lajmet e rreme dhe teoritë konspirative nuk janë fenomene që lindën me koronavirusin, është e qartë se me fillimin e pandemisë zërat që theksojnë pasojat negative të tyre mbi shoqërinë dhe demokracinë, janë shtuar ndjeshëm. Përpjekjet për të gjetur zgjidhje ndaj këtyre fenomeneve, të cilat tashmë po konsiderohen si kërcënim për funksionimin e demokracisë në mbarë botën, ndër të tjera, përfshijnë edhe rritjen e shkallës së njohurive të audiencës rreth medias dhe informacionit.