Nga Valbona Sulçe Kolgeci
Në vitin 2017, Aleksi ishte vetëm 8 vjeç kur u ul para televizorit me prindërit e tij të ndiqte një kronikë televizive të “Fiks fare”, programit popullor të Top Channel, ndërtuar sipas modelit të gazetarisë investigative italiane. Diçka e pazakontë për një fëmijë të asaj moshe, por ai u shpjegoi se donte të shihte nëse kronika e kishte emrin e gazetarit dhe kameramanit. Sipas tij, një teta që u kishte vajtur në shkollë atë ditë u kishte treguar se nëse kronika nuk e ka emrin e gazetarit, ajo nuk është e vërtetë.
Ky është një episod që ma tregoi mamaja e Aleksit më pas, por më ka mbetur në mend si shembull i qartë se çfarë ndodh kur fëmijët fillojnë të mësojnë rreth medias. Ishin fillimet e mia si trajnere e edukimit mediatik, një vendim pak i guximshëm duke qenë se nisma ishte krejt personale dhe vullnetare, nisur nga përhapja e pandalshme e dezinformacionit në rrjet. Më herët atë vit, kisha mbajtur një orë të hapur me nxënësit e shkollës “Skënder Caçi” Ditën e Lirisë së Shtypit më 3 maj dhe kisha vënë re të njëjtin interesim të fëmijëve për tema të tilla.
Tani që kanë kaluar tre vjet nga ajo përvojë dhe kurrikula e trajnimit ka marrë një formë më të plotë, falë edhe pjesëmarrjes në Trajnimin e Trajnerëve nga Instituti i Shqiptar Medias, mund të nxjerrim disa përfundime rreth mënyrës sesi grupe të ndryshme i qasen edukimit mediatik.